"Jetët e gjallesave në planetin tonë janë të ndërlidhura” | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

“Jetët e gjallesave në planetin tonë janë të ndërlidhura”

Një studente veterinarie nga Tirana fitoi njohuri, aftësi dhe ambicie të reja - dhe një mace - duke marrë pjesë në programin ERASMUS+.

SCROLL DOWN

Armela Lato është studente në vitin e fundit në fakultetin e veterinarisë në Tiranë. Fillimisht ajo donte të studionte mjekësi, por pikët që mori në provime nuk ishin të mjaftueshme për Fakultetin e Mjekësisë. Armela nuk kishte ndonjë dashuri të madhe për kafshët, por ajo vendosi të ndiqte Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, duke qenë se ishte më pranë asaj çfarë ajo donte të studionte fillimisht.

“Në atë moment kjo ishte një zgjedhje provizore për mua. Planifikoja të aplikoja sërish për mjekësi vitin e ardhshëm,” shprehet Armela. Sidoqoftë, gjatë muajve të parë në fakultet ajo ndryshoi mendje dhe filloi ta konsideronte punën si veterinere si profesionin për gjithë jetën. Fakulteti i Mjekësisë Veterinere në Tiranë ka profesorë të mirë dhe kjo ishte një nga arsyet përse Armela mbeti e kënaqur me këtë fakultet. “Profesorët na mbështetën në çdo mënyrë të mundshme dhe ishin miqësorë,” shprehet ajo.  Ata i dhanë asaj edhe një vizion të ri për punën e saj–i kujtohet se një nga profesorët e saj i tha se, “nëse ndihmoni kafshët jeni duke ndihmuar njerëzimin, sepse jetët e gjallesave në planetin tonë janë të ndërlidhura”. Sidoqoftë, fakulteti kishte burime të kufizuara si në aspektin e pajisjeve dhe të numrit të pacientëve që paraqiteshin në klinikën e fakultetit. Njohuritë teorike të Armelës po përmirësoheshin, por ajo duhet të përmirësonte aftësitë e saj praktike.

“Tregojini kafshës pak më shumë kujdes dhe do t’ju jetë mirënjohës përjetë.”

Armela Lato, studente

Gjetja e aftësive praktike
Armela dëshironte të studionte jashtë vendit që kur ishte në gjimnaz. Një nga arsyet për këtë ishin mundësitë më të mira për punësim. “Të gjesh një punë në Shqipëri nuk është e thjeshtë. Por nëse do të diplomohesha jashtë vendit, do të kisha një diplomë të njohur ndërkombëtarisht dhe mundësi më të mira për të gjetur një punë jashtë vendit,” shpjegon ajo

Duke pasur këtë ndërmend, ajo filloi të kërkonte për mundësi për bursa studimi jashtë Shqipërisë. Në vitin e tretë të studimeve, ajo pa të publikuar në faqen e internetit të fakultetit një mundësi nga programi i shkëmbimit të nxënësve ERASMUS+. Ajo kishte tri zgjedhje: Bolonjë, Milano dhe Zagreb. Duke pasur parasysh vizionet që kishte për mundësitë që do të mund të eksploronte në Kroaci dhe Itali, ajo aplikoi në të tre. “U pranova edhe në Milano edhe në Zabgreb, por zgjodha Zagrebin, duke qenë se profesorët më thanë se Fakulteti i Mjekësisë Veterinere atje është i pajisur më mirë dhe ka traditë më të vjetër,” shprehet Armela.

Aventurat në Zagreb
Ajo filloi përvojën në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Zagreb në semestrin e dytë të vitit të tretë të studimeve dhe qëndroi atje për gjashtë muaj. Kur tregon historinë e qëndrimit të saj, e befasuar shprehet, “Ishte shumë ndryshe atje: shumë më mirë.” Klinika e fakultetit ishte e pajisur shumë më mirë se sa ajo në Shqipëri. Përveç pajisjeve kirurgjikale ata kishin edhe pajisje diagnostike të avancuara si ekografi dhe radiografi që nuk janë të disponueshme në fakultetin e Tiranës. “Kishte një numër shumë të madh pacientësh në klinikën e fakultetit dhe pajisjet ishin në dispozicionin tonë për përdorimin kurdo që dëshironim. Ishte e mrekullueshme.”

“Kishte një numër shumë të madh pacientësh në klinikën e fakultetit dhe pajisjet ishin në dispozicionin tonë për përdorim kurdo që dëshironim. Ishte e mrekullueshme.”

Armela Lato, studente

Armela pati edhe përvoja të vështira gjatë qëndrimit të saj në Zagreb. Në klinikë ata kishin pacientë me sëmundje të rënda të pashërueshme, pronarët e të cilëve zgjidhnin eutanazinë për t’i lehtësuar nga dhimbjet. Ky ishte një ndër takimet e saj të para me anën e dhimbshme të profesionit. Ajo mësoi në mënyrën më të vështirë se jo çdo pacient mund të shpëtohet.

Gjatë qëndrimit të saj Armela pati mundësinë të mësonte gjëra të reja. Për shembull, ajo mësoi për një sëmundje gjaku për të cilën nuk kishte dëgjuar më parë, diagnoza e së cilës varet nga matja e gjatësisë së kockave dhe kafkës, duke qenë se një nga simptomat e kësaj sëmundje është shkurtimi i këtyre pjesëve të trupit. “Ishte mahnitëse se si ata diagnostikonin sëmundjen hap pas hapi dhe krahasonin simptomat me dy ose tri sëmundje të mundshme përpara se të arrinin në përfundim,” shprehet ajo.

Planet për të ardhmen
Pas gjithçkaje që mësoi në Zagreb, Armela është më e dedikuar për të vazhduar karrierën e saj si veterinere dhe për të shkëlqyer në profesion. Pas diplomimit ajo synon të studiojë dermatologji ose fizioterapi, mundësisht në një universitet jashtë vendit, dhe më pas të kthehet në Shqipëri për të hapur klinikën e saj ose për të punuar në një institucion shtetëror të veterinarisë.

Studimi i shkencave veterinare ndryshoi edhe diçka tjetër në jetën e saj. Ndonëse s’i kishte urryer kurrë kafshët, ajo shprehet se nuk kishte ndonjë dashuri për to. Ajo kishte një mospëlqim të çuditshëm për macet në veçanti. ‘Nuk e di përse, por thjesht nuk mund të shihja apo prekja mace. Por tani kam një mace timen,’ shprehet ajo duke buzëqeshur.‘Tregojini kafshës pak më shumë kujdes dhe do t’ju jetë mirënjohës përjetë,’ shprehet Armela.

Photo credits: Armela Lato

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.