Kula në Kroaci dhe Hrtkovci në Serbi janë dy fshatra të Ballkanit Perëndimor që kanë një tragjedi të përbashkët. Në vitin 1992, pasi shpërtheu konflikti i armatosur në ish-Jugosllavi, serbët dhe kroatët nga Kula në Kroaci dhe Hrtkovci në Serbi shkëmbyen shtëpitë dhe u shpërngulën në fshatrat e njëri-tjetrit. Kjo u përshkrua si një “zhvendosje e njerëzishme”, por në të vërtetë ishte një shkëmbim i detyruar i popullsisë në mes të një lufte. Historia e këtyre dy fshatrave u portretizua në filmin dokumentar, “Shtëpia jote ishte streha ime”, i publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Raportimit Investigativ (BIRN).
Dokumentari u krijua si pjesë e programit Drejtësia Tranzicionale në Ballkan, një platformë rajonale ebashkëfinancuar nga BE-ja. Platforma publikon lajme online që flasin për problematikat vendase të lidhura me krimet e luftës, duke përmirësuar kështu konceptimin e publikut të gjerë për problematikat e drejtësisë tranzicionale në ish-Jugosllavi.
Mbi dhjetë vite raportim i krimeve të luftës
Nejra Mualomerović, partnere e programit, shpjegon se qëllimi kryesor i programit është të sigurojë një transmetim të rregullt dhe të përditësuar të informacionit lidhur me problematikat e drejtësisë tranzicionale (kryesisht me gjyqet e krimeve të luftës) në rajon. Kjo është arritur falë një rrjeti të përkushtuar korrespondentësh nga e gjithë ish-Jugosllavia dhe kontribuesish nga mediat e tjera, organizatat e shoqërisë civile, institucionet qeveritare e akademitë. “Jemi e vetmja media në rajon që flet me detaje për gjyqet e krimeve të luftës dhe që bazohet vetëm te faktet. Mendoj se kjo është një ndër gjërat më të rëndësishme që ka arritur me sukses drejtësia tranzicionale në Ballkan gjatë dhjetë viteve të fundit,” thotë Nejra.
Sidoqoftë, duke qenë se numri i gjyqeve të krimeve të luftës është ulur, programi ka filluar të zhvillojë aktivitete të tjera me të njëjtin qëllim, duke përdorur përvojën dhe informacionin që zotëron. Një nga projektet e tyre është një bazë të dhënash për varret masive. Ekipi i programit ka filluar ta përpilojë këtë që në vitin 2020, duke u përballur me vështirësitë për shkak të numrit të madh të varreve masive dhe informacionit të parregullt. Nejra shpjegon që për shkak se informacioni nuk ndodhej në një vend të vetëm dhe pjesa më e madhe e tij vihej në dispozicion vetëm në kopje të printuara, stafit të programit iu desh të vizitonte institucione dhe organizata të shumta. Ata shkuan edhe me një fotograf te vendndodhjet e varreve masive, për t’i regjistruar dhe për t’i ruajtur në bazën e të dhënave. Më pas, informacioni u bë publik.
Gjatë këtyre vizitave, u bë i qartë fakti se shumica e vendndodhjeve të varreve masive nuk ishin të shënuara, nuk përkujtoheshin dhe nuk kishte akses te to. Disa prej tyre ndodheshin në prona private, disa ishin kthyer në vendgrumbullime mbeturinash, ndërsa në disa të tjera ishin ngritur kisha,” thotë Nejra.
Megjithatë, ekipi ka arritur të gjejë, filmojë, fotografojë dhe të ruajë me dhjetëra vendndodhje në bazën e të dhënave dhe puna vazhdon akoma.
Një nga nismat më të fundit të programit është Muzeu i Shtëpisë së Reporterëve, që do të hapet në Sarajevë këtë vjeshtë. Do të jetë muzeu i parë i pavarur rajonal jofitimprurës në Ballkan, që do të tregojë historinë gjithëpërfshirëse të shpërbërjes së Jugosllavisë, luftërave të saj, si dhe pasojave të këtyre të fundit nga një perspektivë gazetareske. Muzeu do të hapet në një godinë trekatëshe në qendrën e qytetit, me një hapësirë prej 600 m2. Dy katet e para do të shërbejnë si ekspozita të përkohshme që do të tregojnë historitë e krimeve të luftës që janë kryer në ish-Jugosllavi, duke përfshirë këtu historitë e refugjatëve, spastrimit etnik, gjenocidit, kampeve të luftës, si dhe të jetës së gazetarëve gjatë kësaj lufte. Kati i tretë do të shërbejë si një hapësirë komunitare për gazetarët dhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë civile e publikut të gjerë dhe do të përdoret për diskutime lidhur me gazetarinë konfliktuale dhe rolin e medias në ditët e sotme.
Nejra është në dijeni të faktit që, tematikat e drejtësisë tranzicionale nuk janë të lehta për t’u folur. “Por, unë mendoj se të gjithë njerëzit që kanë punuar me BIRN-in gjatë këtyre dhjetë viteve, e kanë parë punën e tyre edhe nga pikëpamja e ndikimit që do të ketë te brezat e ardhshëm dhe te mënyra e të parit të historisë prej tyre,” thotë ajo.
Lidhur me projektin
Programi Drejtësia Tranzicionale në Ballkan është një platformë rajonale që synon të përmirësojë konceptimin që ka publiku i gjerë për problematikat e drejtësisë tranzicionale në shtetet ish-Jugosllave (Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). Programi mbështetet nga Bashkimi Evropian, Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës.
Photo credits: BIRN
Please wait while your video is being uploaded...
Don't close this window!