Rritje të reja në fushat e Vojvodinës | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Rritje të reja në fushat e Vojvodinës

Një fermer i ri serb përmbush një ëndërr fëmijërie me mbështetjen e BE-së.

SCROLL DOWN

Milan Plavšić (35) jeton në Sremska Mitrovica në provincën eVojvodinës, në veri të Serbisë. Ai vjen nga një familje me traditë të hershme në bujqësi, por ndryshe nga babai dhe gjyshi i tij, Milani pati mundësinë të diplomohej në fakultetin e bujqësisë në Novi Sad. Qëllimi i tij është ta çojë biznesin familjar në një nivel tjetër. “Unë jam rritur me bujqësi. Unë thjesht e dua atë dhe nuk kam menduar kurrë të bëj punë tjetër,” shprehet Milan.

Vojvodina është e njohur për tokën e saj të pasur, e cila, për shekuj me radhë, ka qenë ideale për kulturat bujqësore si misri, gruri, soja dhe luledielli. Provinca është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i kulturave bujqësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Njësoj si Milan, shumica e njerëzve në rajon punojnë në bujqësi, por, pavarësisht avantazhit të tokës së mirë, fermerët po përballen me disa probleme serioze.  “Disa nga familjet e vogla bujqësore me dy deri në tre hektarë tokë ose po e shesin tokën e tyre ose po ua japin me qira prodhuesve më të mëdhenj pasi nuk janë në gjendje të investojnë në teknologji të re dhe të blejnë pajisje për bujqësi moderne,” shprehet ai.

“Traktori i vjetër filloi të bëhej një problem i vërtetë, pasi nuk funksiononte më si duhet dhe kështu nuk arrinim të përmbushnim afatet apo të prodhonim sasitë e nevojshme të të mbjellave.”

Milan Plavšić, fermer

Një traktor i ri, mundësi më të mira biznesi

 Me 20 hektarë tokë, Milani e konsideron veten një prodhues të mesëm, por edhe ai ka hasur në vështirësi. Të kesh një traktor është thelbësore për punën e tij, dhe ai që zotëronte familja ishte blerë në vitin 1987. Milani kujton gëzimin e përdorimit të këtij traktori për herë të parë kur ishte vetëm 12 vjeç. Por me kalimin e viteve, pajisja filloi të amortizohej. “Traktori i vjetër filloi të bëhej një problem i vërtetë, pasi nuk funksiononte më si duhet dhe kështu nuk arrinim të përmbushnim afatet apo të prodhonim sasitë e nevojshme të të mbjellave,” shprehet Milan.

Familja e dinte se duhej të investonte në një traktor të ri, i cili mund të kushtojë deri në 70,000 euro, një pajisje shumë e shtrenjtë për një biznes të atyre përmasave. Ata nuk kishin para të mjaftueshme për të investuar dhe marrja e një kredie në këtë shumë dukej tepër e rrezikshme dhe e kushtueshme në terma afatgjatë. Por pa pajisjet e reja, biznesi i tyre do të kërcënohej seriozisht.

Shpresa e tyre u ngjall, kur Milani dëgjoi për programin e financuar nga BE-ja për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural(IPARD) i cili mbështet bujqësinë në Serbi dhe rajon. Duke parë që i plotësonte kriteret, Milani vendosi të aplikonte për mbështetje. Aplikimi rezultoi i suksesshëm dhe familja ishte në gjendje të blinte një traktor të ri.

“Me traktorin e ri që morëm me mbështetjen e BE-së, tashmë mund të punoj më shpejt dhe më sigurt si dhe të kem prodhime më cilësore.”

Milan Plavšić, fermer

Programi IPARD mbështeti familjen e Milanit me mbi 50% të shumës për blerjen e traktorit të ri. Familja mbuloi pjesën tjetër të shumës përmes një kredie nga banka, e cila gjithashtu ishte më e lehtë për t’u marrë si rezultat i mbështetjes IPARD, dhe kursimet e tyre. “Me traktorin e ri që morëm me mbështetjen e BE-së, tashmë mund të punoj më shpejt dhe më sigurt si dhe të kem prodhime më cilësore”, shprehet Milan.

Vizioni i Milanit është të zgjerohet më tej pasi ka tokën dhe tregun cilësor. Por, ai tashme ka edhe një traktor të ri Steyr, pikërisht traktorin që ëndërronte kur ishte djalë. “Ëndrra e çdo djali të ri që jeton në një familje bujqësore është të blejë një traktor të ri. Kjo ishte edhe ëndrra ime. Kjo ëndërr u bë realitet me mbështetjen e BE-së,” shprehet Milan.

Rreth projektit

Pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA), i projektuar për të mbështetur vendet në proces aderimi në BE, Instrumenti i Asistencës së Para- Aderimit për Zhvillim Rural (IPARD) përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë në këto vende. Përmes këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë financiare dhe teknike për të bërë sektorin e tyre bujqësor dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe për t’i harmonizuar ato me Politikën e përbashkët bujqësore të BE-së.

Photo credits: Milan Plavšić

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.