Rritja e punësueshmërisë së të kthyerve të cenueshëm në Maqedoninë e Veriut | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Rritja e punësueshmërisë së të kthyerve të cenueshëm në Maqedoninë e Veriut

20 Feb 2023

Demir Demireli është një 38-vjeçar i kthyer nga Evropa, dhe kërkon një vend pune në sektorin e ndërtimit në qytetin e tij të lindjes në Maqedoninë e Veriut. Me përfundimin e sezonit të verës, kërkesa në këtë sektor po bie, duke e lënë Demirin me një pagë në rënie e sipër dhe muaj të gjatë dimri përpara, çka i shkakton vështirësi në kujdesin ndaj bashkëshortes së tij të sëmurë dhe katër fëmijëve të tyre. “Sigurisht që dua një punë me kohë të plotë, një punë të mirë… Dua që të kem një rrogë të rregullt… Por nuk di as të shkruaj, as të lexoj.” – shprehet Demiri.

Sipas UNDP-së, numri i personave me situata të ngjashme nuk është i vogël në Maqedoninë e Veriut. Shumica e të kthyerve janë romë, të cilët ishin larguar nga vendi për shkak të varfërisë, papunësisë, dhe diskriminimit. Sipas vlerësimeve të kryera nga UNDP-ja në vitin 2021, shumica e azilkërkuesve dhe të kthyerve i përkasin grupmoshës 30 – 44 vjeç dhe kanë nivel të ulët arsimor. Punësimi veçohet si sfida më e madhe e raportuar nga të kthyerit. Krahas kësaj, është një faktor i rëndësishëm që garanton mirëqenie ekonomike dhe sociale për qytetarët e cenueshëm.

 

“Duke folur me të kthyerit, ne kuptuar që gjashtë muaj e parë pas kthimit të tyre janë shumë të rëndësishëm, pasi përbëjnë periudhën kur vendosin të largohen sërish nëse përballen me sfida serioze. Ne gjithashtu kemi kuptuar që gjatë këtyre gjashtë muajve të parë, ata përfitojnë pak ose aspak mbështetje nga institucionet apo organet e tjera.”

Suzana Ahmeti Janjic, Drejtore e Seksionit për Mirëqenie Gjithëpërfshirëse, UNDP, Maqedoni e Veriut

Kjo është arsyeja përse UNDP-ja ka filluar një projekt me një qasje gjithëpërfshirëse, që iu garanton të kthyerve dhe romëve perspektivën për punësim. Projekti i mbështet institucionet me zgjidhje për riintegrimin ekonomik dhe social të të kthyerve të cenueshëm. Financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, dhe Serbi. Suzana Ahmeti nga UNDP në Maqedoninë e Veriut shpjegon se nevoja për këtë lloj projekti ishte e dukshme, pasi mënyra se si trajtohen të kthyerit aktualisht është shumë e posaçme dhe nuk ekziston një sistem, që përqendrohet te problemet dhe nevojat e tyre. Krahas kësaj, mbështetja e shtetit për riintegrim është thuajse e padukshme gjatë 6-12 muajve të parë.  “Duke folur me të kthyerit, ne kuptuar që gjashtë muaj e parë pas kthimit të tyre janë shumë të rëndësishëm, pasi përbëjnë periudhën kur vendosin të largohen sërish nëse përballen me sfida serioze. Ne gjithashtu kemi kuptuar që gjatë këtyre gjashtë muajve të parë, ata përfitojnë pak ose aspak mbështetje nga institucionet apo organet e tjera.” – shprehet Suzana.

Projekti i ka filluar tanimë ndërhyrjet për përmirësimin e situatës. Sikundër e shpjegon Suzana, së pari u ndërgjegjësuan institucionet vendore dhe qendrore rreth problemeve të të kthyerve. Në nivelin e qeverisë qendrore, ata filluan ngritjen e një organi specifik koordinimi, që do të trajtonte problemet e të kthyerve. Në nivelin vendor, u integrua tema e të kthyerve në strategjitë e zhvillimit vendor ekonomik, me një buxhet specifik të alokuar për mbështetjen e tyre. Arritjen më të madhe në këtë drejtim Suzana e konsideron masën e punësimit, sipas së cilës të kthyerit konsiderohen grup i cenueshëm specifik, që kërkon shërbime shtesë në kuadër të planit kombëtar të punësimit, i cili është një dokument i rëndësishëm strategjik në nivelin qendror. “Kjo është një ndërhyrje specifike dhe e prekshme, dhe së shpejti do të fillojmë me zbatimin konkret, që përfshin trajnimin mbi aftësitë joprofesionale dhe elemente të ngjashme.” – shprehet Suzana.

 “Të kthyerit përbëjnë kapital të vyer njerëzor për punëdhënësit. Nuk është e njëjta situatë si më parë, kur mijëra njerëz kërkonin një vend pune. Gjërat kanë ndryshuar paksa.”

Suzana Ahmeti Janjic, Drejtore e Seksionit për Mirëqenie Gjithëpërfshirëse, UNDP, Maqedoni e Veriut

Të kthyerit dhe romët përballen me sfida edhe kur kanë ide të mira biznesi dhe frymën e sipërmarrjes për të ngritur bizneset e tyre.  Shpesh ata kanë kapital të kufizuar financiar dhe rrjete të pamjaftueshme biznesi, që janë të nevojshme për të ngritur një biznes. Krahas kësaj, atyre iu mungojnë edhe njohuritë dhe aftësitë menaxhuese në fushën e planifikimit të biznesit, menaxhimit financiar, legjislacionit, rregulloreve për taksat, etj.  Shumë ide të mira biznesi nga të kthyerit dhe romët mbeten joformale në mungesë të një mbështetjeje sistematike. Për t’i mbështetur, sidomos të kthyerit e rinj dhe risiprurës me ide që mund të sjellin të ardhura dhe vende pune, projekti ofron grante për start-up-e, me qëllim që të ndihmojë në hapjen e bizneseve të reja ose në formalizimin e atyre ekzistuese. Projekti gjithashtu ofron mbështetje të shënjestruar për të mbështetur aftësitë e menaxhimit të biznesit, njohuritë për të administruar një biznes formal, si dhe aksesin në rrjete sipërmarrësish.

Suzana shpjegon se për shkak të dinamikës së migracionit në rritje, shoqëritë tregtare po e vlerësojnë çdo ditë e më shumë disponueshmërinë e punonjësve të aftë. Për këtë arsye, projekti kërkon të investojë edhe më tepër në arsimin e të rriturve, sepse sipas Suzanës, shumica e të kthyerve nuk e kanë përfunduar arsimin fillor apo të mesëm. “Të kthyerit përbëjnë kapital të vyer njerëzor për punëdhënësit. Nuk është e njëjta situatë si më parë, kur mijëra njerëz kërkonin një vend pune. Gjërat kanë ndryshuar paksa.” – shprehet Suzana.

Lidhur me projektin

Projekti për riintegrimin e të kthyerve në Ballkanin Perëndimor përqendrohet tek adresimi i barrierave institucionale kyç për riintegrimin e të kthyerve të cenueshëm, dhe faktorët shtytës të përjashtimit social dhe ekonomik dhe migracionit nga Ballkani Perëndimor, si: mundësitë e kufizuara të punësimit, punët me pagë të ulët, sektori i madh informal, si dhe cilësia e ulët e shërbimeve sociale. Projekti është pjesë e Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) II për Veprime Shumëkombëshe, mbështetjes së BE-së për të Drejtat Themelore të Komunitetit Rom, si dhe Riintegrimit të të Kthyerve, zbatuar nga UNDP-ja, Banka Botërore, dhe Këshilli i Evropës.  Objektivi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në riintegrimin e efektshëm të të kthyerve të cenueshëm nga BE-ja, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë anëtarëve të komunitetit rom. Mbështetja e të kthyerve romë do të kontribuojë edhe në zvogëlimin e hendekut ekzistues socioekonomik midis grave, burrave, dhe fëmijëve romë.

Mëso më shumë

Photo credits: Sanja Knezevic, UNDP

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.