“Ndërlidhja e Perlave” - Ndërveprimi i komunave ndërkufitare përmes natyrës dhe turizmit | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

“Ndërlidhja e Perlave” - Ndërveprimi i komunave ndërkufitare përmes natyrës dhe turizmit

Me mbështetjen e BE-së, komunat ndërkufitare në Serbi dhe Maqedoni të Veriut kanë bashkuar forcat për të ndarë trashëgiminë e tyre me vizitorët.

SCROLL DOWN

Natyra dhe trashëgimia e pasur kulturore janë emëruesit e përbashkët të rajonit kufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Malet e Osogovës dhe masivi malor i Kukavicës në kufijtë e komunave të Kriva Palankas dhe Leskovacit kanë një peizazh të jashtëzakonshëm natyror. Moria e boronicave të egra, mjedrave, kërpudhave, bimëve mjekësore, dhe ushqimeve tradicionale, si: polenta me kačamak janë një tjetër arsye që i tërheq vizitorët drejt këtij rajoni.

Shumëllojshmëria e mundësive për të shijuar zonat natyrore, kulturore dhe historike sjell zhvillimin e formave të ndryshme të turizmit dhe shuan kureshtjen e çdo vizitori. Megjithatë, ky potencial turistik nuk ishte i mirënjohur as në rajon, as në botë. Komunat e Leskovacit dhe Kriva Palankas vendosën të bashkonin forcat dhe, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ta promovonin këtë destinacion si një zonë tërheqëse turistike, duke prezantuar një projekt bashkëpunimi ndërkufitar.

“Adhuruesit e maleve nga zona jonë e vizitojnë rajonin rregullisht. Megjithatë, është e qartë se mungon infrastruktura drejt disa prej zonave më të bukura, dhe pak njerëz jashtë rajonit e dinë që kjo bukuri natyrore ekziston në Leskovac dhe Kriva Palanka.”

Maja Kocić, konsultente për menaxhim projektesh, qyteti i Leskovacit

Maja Kocić është menaxhere projekti nga qyteti i Leskovacit në Serbi. Si një nga krijueset e projektit, ajo shpjegon se nevoja për këtë nismë ishte e dukshme. “Adhuruesit e maleve nga zona jonë e vizitojnë rajonin rregullisht. Megjithatë, është e qartë se mungon infrastruktura drejt disa prej zonave më të bukura, dhe pak njerëz jashtë rajonit e dinë që kjo bukuri natyrore ekziston në Leskovac dhe Kriva Palanka.” – shprehet Maja.

Mjedisi që lidh rajonin ndërkufitar është i bukur si një perlë, ndaj qytetet vendosën ta emërtonin projektin “Ndërlidhja e perlave”. Projekti përfshin një sërë veprimtarish dhe ndërhyrjesh. Fillimisht, partnerët organizuan workshop-e për të lehtësuar bashkëpunimin midis organizatave turistike përtej kufirit. Në workshop-e morën pjesë dhjetë organizata nga të dyja anët e kufirit, të cilat më pas formuan një grup pune me palë interesi ndërkufitare.

Në vazhdën e këtij veprimi, projekti vijoi punën me ndërhyrjet e domosdoshme në shkallë të vogël. Në të dyja anët e kufirit, projekti kontribuoi duke shtruar rrugë dhe shtigje, duke ndërtuar sheshe lojërash për fëmijët dhe shtëpiza vere, si dhe duke instaluar stola, shtylla me ndriçim diellor, kënde informuese, si dhe kosha plehrash.

Krahas kësaj, projekti organizoi veprimtari promovuese, me emrin “Fundjava të gjelbra”, në të cilat morën pjesë qindra persona për të ndjekur muzikë live, për të shijuar ushqime tradicionale, dhe për të bërë ecje në natyrë.

“Si rrjedhojë e projektit “Ndërlidhja e perlave”, ne kemi dëshmuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve nga e gjithë Serbia, dhe presim që e njëjta gjë të ndodhë me vizitorët ndërkombëtarë.”

Maja Kocić, konsultente për menaxhim projektesh, qyteti i Leskovacit

Maja shpjegon se ndikimi i projektit është i dukshëm dhe i prekshëm, çka do të vërehet më tepër në muajt dhe vitet e ardhshme. “Si rrjedhojë e projektit “Ndërlidhja e perlave”, ne kemi dëshmuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve nga e gjithë Serbia, dhe presim që e njëjta gjë të ndodhë me vizitorët ndërkombëtarë.” – shprehet Maja.

Ajo gjithashtu shpjegon se projekti për bashkëpunimin ndërkufitar ka kontribuar shumë në cilësinë e ndikimit. “Ne kemi përfituar shumë nga shkëmbimi i ideve, pikëpamjeve, dhe aftësive menaxhuese me komunën e Kriva Palankas në Maqedoninë e Veriut, dhe së shpejti do të zhvillojmë një tjetër projekt të përbashkët.”

Lidhur me projektin

“Ndërlidhja e perlave” është një projekt bashkëpunimi ndërkufitar midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, që zbatohet me fonde për asistencën e paraanëtarësimit nga Bashkimi Evropian (IPA II), dhe zhvillohet nga qyteti i Leskovacit në Republikën e Serbisë në partneritet me komunën e Kriva Palankas në Maqedoninë e Veriut, si dhe me Qendrën për Zhvillim të distrikteve të Jablanicës dhe Pčinjës.

Qëllimi i projektit “Ndërlidhja e perlave” është të rritë dukshmërinë dhe cilësinë e ofertës turistike ndërkufitare rajonale përmes hartëzimit të trashëgimisë natyrore, kulturore dhe historike, si dhe të përmirësojë vendndodhjet nëpërmjet punimeve ndërtimore në Leskovac dhe Kriva Palanka.

Photo credits: Connecting Pearls project

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.