T’i japim një shtysë bujqësisë dhe blegtorisë në Malin e Zi | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

T’i japim një shtysë bujqësisë dhe blegtorisë në Malin e Zi

Fondet e BE-së hapin vende të reja pune dhe prodhojnë produkte më cilësore

SCROLL DOWN

Milenko Nedić-i (47) shërbente dikur në ushtri. Në vitin 2005, reformat e qeverisë çuan në shkarkimin e tij dhe 3,000 kolegëve të tjerë dhe, kështu, u gjend i papunë brenda ditës. Kur iu desh të vendoste ç’të bënte më pas, atij iu kujtua se prindërit e tij ishin marrë më parë me bujqësi dhe blegtori, dhe se ky ishte i vetmi zanat tjetër që njihte.

Ai dhe bashkëshortja e tij morën një kredi bankare dhe blenë tri lopë, me të cilat hapën fermën e tyre të vogël. Fillimi ishte i vështirë, sepse kredia kishte një normë të lartë interesi, dhe çifti nuk kishte aftësitë e duhura. Më pas, për Milenko-n dhe bashkëshorten e tij u shfaq një mundësi për të zgjeruar dhe stabilizuar biznesin e tyre, me mbështetjen nga ‘Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit për Zhvillimin Rural’ (IPARD II), i BE-së. “Nëpërmjet programeve IPARD, kam arritur të përfundoj mekanizimin tonë dhe pajisjen me sisteme për mjeljen dhe të gjitha aparaturat e nevojshme për fermën. Gjatë thirrjes së fundit, më mbështetën me një shumë prej rreth 48,000 eurosh, të cilat i plotësova me kontributin tim prej 32,000 eurosh,” thotë Milenko. Tani, ai ka rreth 40 lopë dhe zotëron një prej fermave më të mëdha në rajon.

“Para se të fillonte të vihej në zbatim programi IPARD II, kishim vetëm dy ose tri fabrika përpunimi që përmbushnin standardet kombëtare të sigurisë ushqimore. Tanimë, kemi mbi 21 objekte që përmbushin standardet. Ky fakt tregon ndikimin pozitiv që ka pasur IPARD II-shi në Mal të Zi,”

Gordana Dujović, Ministry of Agriculture, Forestry and Water Management

Ushqim më i sigurt

Historia e Milenko Nedić-it nuk është e vetmja histori suksesi e IPARD II-shit në Mal të Zi. Deri më tani, të paktën 254 fermerë kanë përdorur fondet e IPARD II-shit dhe kanë përfituar nga përmirësimet e kushteve të punës në ferma. Gordana Dujović-i nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujit shpjegon:- “Para se të fillonte të vihej në zbatim programi IPARD II, kishim vetëm dy – tri fabrika përpunimi që përmbushnin standardet kombëtare të sigurisë ushqimore. Tanimë, kemi mbi 21 objekte që përmbushin standardet. Ky fakt tregon ndikimin pozitiv që ka pasur IPARD II-shi në Mal të Zi”. Sipas Gordanës, nëpërmjet mbështetjes së IPARD II-shit, deri më tani janë hapur edhe mbi 100 vende të reja pune, që janë zënë kryesisht nga të rinjtë.

Aktualisht, Mali i Zi po përdor fondet e vëna në dispozicion nga programi IPARD II, që mund të shfrytëzohen deri në fund të vitit 2023, ndërsa BE-ja, së fundmi, ka miratuar programin IPARD III për Malin e Zi, për periudhën 2021-2027. Gordana është e bindur se IPARD III-shi do të korrë edhe më shumë sukses se programet e mëparshme. “Po e fillojmë IPARD III-shin me shumë më tepër përvojë dhe njohuri të fituara gjatë vënies në zbatim të thirrjeve nëpërmjet programit IPARD II. Ne, bashkë me përfituesit, kemi shumë më tepër përvojë dhe besoj se përfitimet do të rriten ndjeshëm. Është planifikuar edhe akreditimi i masave të reja, që do t’u japin mundësi përfituesve të marrin më shumë mbështetje, si edhe shtetit të tërheqë më shumë nga fondet e BE-së të vëna në dispozicion për Malin e Zi,” thotë ajo.

“Ferma na siguron një jetesë të mirë. Kërkon shumë punë dhe shumica e parave të fituara duhet të ri-investohen sërish në prodhim, por ferma po zhvillohet.”

Milenko Nedić, Farmer

Milenko është i bindur se pa projektet IPARD, nëntë nga dhjetë fermerëve do t’u duhej të hiqnin dorë nga bujqësia. Sipas tij, shumica e fuqisë punëtore nuk kanë dëshirë të merren me bujqësinë dhe blegtorinë, kështu që mekanizimi i siguruar nëpërmjet thirrjeve të IPARD-it është një kontribut i rëndësishëm. “Ferma na siguron një jetesë të mirë. Kërkon shumë punë dhe shumica e parave të fituara duhet të ri-investohen sërish në prodhim, por ferma po zhvillohet,” thotë Milenko.

Lidhur me programin

Si pjesë e ‘Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit’ (IPA), i projektuar për të mbështetur reformat në vendet në proces aderimi në BE, ‘Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit për Zhvillimin Rural’ (IPARD), përqendrohet te zonat rurale dhe sektorët agro-ushqimorë të këtyre vendeve. Nëpërmjet këtij instrumenti, BE-ja u ofron përfituesve ndihmë teknike dhe financiare, për t’i bërë sektorët e tyre bujqësorë dhe zonat rurale më të qëndrueshme dhe në përputhje me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së.

Photo credits: IPARD Montenegro

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.