Një kompani e vogël që dëshiron të mbetet e tillë | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Një kompani e vogël që dëshiron të mbetet e tillë

05 Nov 2020

Regenerik është një valë e re e markave inovative të veshjeve që po fiton terren në Serbi. Shoqëria prodhon veshje urbane dhe aksesorë të bërë me dorë nga materiale si fibra natyrore dhe materiale të ricikluara dhe të biodegradueshme. Ky lloj prodhimi nuk është shumë i zakontë në Serbi, ose në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Danica Tomić është një nga themelueset e Regenerik. Ajo u diplomua në arkitekturë dhe deri para një viti nuk i kishte shkuar kurrë nëpër mend se do të merrej me diçka tjetër. Pas diplomimit, iu dha mundësia për zhvillimin e stazhit në një firmë arkitekturore, por u mërzit shumë shpejt me natyrën e detyrave administrative që iu caktoheshin stazhierëve. Danica-s i vlonte dëshira për të bërë diçka krijuese.

Nga arkitektura te moda

Kur një mik i ngushtë i sugjeroi ta linte punën dhe t’i bashkohej atij në një biznes të ri, ajo ra dakord por me një kusht, që në biznesin e ri të kishte mundësi të vinte në jetë krijimtarinë e saj. Shumë shpejt, ekipit iu bashkua edhe motra e saj dhe treshja e sapoformuar kishte shumë energji, por i mungonte një ide specifike biznesi. Ato as që ia kishin idenë se ku duhej të drejtoheshin për këshilla.

“Kur mora pjesë në trajnimin e parë, nuk kisha një ide të qartë për llojin e biznesit që doja të nisja… Unë jam arkitekte, por pasioni im ka qenë gjithmonë dizajni i veshjeve.”

Danica Tomić,Regenerik

Danica është një person proaktiv, kështu që filloi menjëherë të bënte kërkime në internet dhe t’iu kërkonte miqve të saj këshilla për fillimin e një biznesi. Një mik i tregoi asaj për një program mbi bizneset e reja të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështeste sipërmarrësit e rinj për të zhvilluar aftësitë e tyre të biznesit.

“Kur mora pjesë në trajnimin e parë, nuk kisha një ide të qartë për llojin e biznesit që doja të nisja… Unë jam arkitekte, por pasioni im ka qenë gjithmonë dizajni i veshjeve, dhe pas diskutimit dhe analizës me mentorët mbi kursin vendosa të filloja Regenerik”, shprehet Danica.

Po ashtu, përmes këtyre trajnimeve Danica përmirësoi aftësitë e saj lidhur me zhvillimin dhe prezantimin e produktit, si dhe mësoi mbi menaxhimin e biznesit. Duke ndërthurur këto njohuri me pasionin e saj, ajo dhe miqtë e saj prezantuan me sukses biznesin e tyre. Që prej asaj kohe, biznesi i tyre është zgjeruar, duke punësuar punonjës shtesë që punojnë së bashku për prodhimin e produkteve Regenerik.

“Ndihem më mirë dhe më rehat kur e di që edhe personat e tjerë do të rriten së bashku me ne. Kjo është ideja themelore e Regenerik: punë e përbashkët, përfitime të përbashkëta dhe mbrojtje e mjedisit.”

Danica Tomić,Regenerik

Të qenit i vogël është zgjidhja më e mirë

Danica nuk ëndërron të ketë një kompani të madhe. Ajo thotë se do të ishte e kënaqur nëse biznesi i saj do të rritej gradualisht, në mënyrë që të angazhonte sa më shumë njerëz për të punuar në prodhimin me dorë të produkteve Regenerik.

“Ndihem më mirë dhe më rehat kur e di që edhe personat e tjerë do të rriten së bashku me ne, dhe ky është thelbi i idesë së Regenerik: punë e përbashkët, përfitime të përbashkëta dhe mbrojtje e mjedisit” pohon ajo.

Programi i trajnimit që ndoqi Danica u organizua nga projekti WeB4YES, i financuar nga BE-ja. Pas pjesëmarrjes në këtë projekt, përveç Danica-s, mbi 1,000 të rinj nga Ballkani Perëndimor kanë përfituar nga aftësitë e reja dhe kanë prezantuar biznese të reja, ose janë punësuar në kompani të tjera.

Gjithashtu, projekti synonte të ndikonte në punësueshmërinë e të rinjve në planin afatgjatë. Partnerët e projektit punuan për zhvillimin e kapaciteteve të mbi 120 organizatave të shoqërisë civile në Ballkanin perëndimor, në mënyrë që ato të mund të bashkëpunonin për zhvillimin dhe zbatimin e qasjeve inovative për punësueshmërinë dhe punësimin e të rinjve.

Projekti u zhvillua nga Belgrade Open School, së bashku me partnerë nga Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi, dhe Qendrën Ndërkombëtare Olof Palme (Suedi).

 

Mëso më shumë

Photo Credits: Djurdjina Tomic @dzurdzina

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.