Von der Leyen përfundon vizitën në Ballkanin Perëndimor me mesazhe të qarta mbi reformat, dialogun dhe integrimin ekonomik News | WeBalkans

Von der Leyen përfundon vizitën në Ballkanin Perëndimor me mesazhe të qarta mbi reformat, dialogun dhe integrimin ekonomik

23 Oct 2025
23/10/2025

Von der Leyen përfundon vizitën në Ballkanin Perëndimor me mesazhe të qarta mbi reformat, dialogun dhe integrimin ekonomik

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfundon vizitën disaditore në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitës edhe një herë theksoi angazhimin e përkushtuar të BE-së ndaj perspektivës evropiane të rajonit dhe Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh. Von der Leyen iu drejtua pjesëmarrësve të Forumit për Investime BE-Ballkan Perëndimor, në Tiranë, duke theksuar hapat konkretë drejt anëtarësimit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA, e cila do t’u lejojë qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë transaksione më të shpejta dhe më të lira në euro. Në Mal të Zi, von der Leyen vlerësoi progresin në sundimi e ligjit dhe transformimin digjital dhe konfirmoi disbursimin e parë prej 8 milionë eurosh përmes Instrumentit të Reformës dhe Rritjes – transh fillestar në paketë që mund të arrijë vlerë prej mbi 380 milionë euro, varësisht nga zbatimi i mëtejshëm i reformave.

Vizitat e saj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë dërguan mesazhe të qarta politike, përveç dimensionit ekonomik. Gjatë vizitës së saj në Sarajevë, von der Leyen vizitoi Qendrën Memoriale të Srebrenicës dhe u takua me udhëheqjen shtetërore, duke theksuar se kujtesa dhe përgjegjësia janë pjesë e pandashme e vlerave evropiane dhe se reformat e vazhdueshme mbeten çelësi i përparimit të vendit në rrugën e tij drejt BE-së. Në Beograd, von der Leyen bëri thirrje për zbatim të përshpejtuar të reformave ligjore dhe përafrim më të madh me politikat e BE-së. Gjithashtu theksoi nevojën për të arritur përparim konkret në dialogun me Kosovën, të lehtësuar nga BE-ja, duke vënë në dukje se reformat do të hapin qasje në investime dhe mundësi të reja përmes Planit të Rritjes. Në Prishtinë riafirmoi angazhimin afatgjatë të BE-së ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Ajo bëri thirrje për uljen e tensioneve, forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e detyrimeve të dakorduara, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga instrumentet dhe masat e ofruara nga Plani i Rritjes.

Në Shkup, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se “hapi tjetër dhe i vetëm” para hapjes së negociatave të pranimit është miratimi i ndryshimit kushtetues të dakordësuar – “Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati”, tha ajo pas takimeve me përfaqësuesit e qeverisë. Mesazhi politik u shoqërua me rezultate konkrete brenda Planit të Rritjes: hapja e një “Qendre lokale të Fabrikës së Inteligjencës Artificiale” (AIFA) në Shkup, e cila do të lidh inovatorët nga Maqedonia e Veriut me burimet e IA-së, me mbështetjen e EuroHPC; përfshirja në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA, e cila do të mundësojë transaksione më të shpejta dhe më të lira në euro; dhe disbursim të ri prej 16 milionë eurosh, në mbështetje të reformave tashmë të zbatuara.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Varet nga të gjithë ne nëse kjo do të bëhet realitet.” Gjatë turneut të von der Leyen, ky mesazh u theksua veçanërisht, siç u theksuan edhe hapat konkretë që tashmë ndërmerren— nga reformat që lidhen me Tregun e Përbashkët, deri te hapja e kanaleve të reja për investime në energji të pastër, inovacion dhe turizëm të qëndrueshëm. Gjithashtu u promovuan edhe masa për të ulur kostot dhe për të hequr barrierat në udhëtim, të cilat do t’ua lehtësojnë jetën qytetarëve. Me fjalë të tjera, u dërgua një mesazh i qartë se reformat dhe dialogu i besueshëm hapin derën për qasje, financim dhe mundësi të reja, ndërsa rajoni i afrohet gjithnjë e më shumë Bashkimit Evropian.

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.