Dimra më të ngrohtë për nxënësit e shkollave të Prishtinës | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Dimra më të ngrohtë për nxënësit e shkollave të Prishtinës

Një projekt i financuar nga BE-ja nxit zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore që kursen energji në qytetin e Prishtinës, në Kosovë.

SCROLL DOWN

Shkolla fillore dhe nëntë-vjeçare Naim Frashëri është një ndër shkollat më të mëdha në kryeqytetin e Kosovës. Shkolla ka më shumë se 1,000 nxënës dhe sipërfaqe prej rreth 5,000 m2. Shqipe Vllasalija Mehmedi është drejtoresha në krye të këtij institucioni të stërmadh. Shumëkush do të mendonte se sfida madhore me të cilën përballet ajo në pozicionin e saj do të ishte e lidhur me arsimin, por në fakt është diçka krejt tjetër: “Kishim probleme të mëdha gjatë dimrit dhe nganjëherë na duhej të ndërpritnim mësimin për shkak të problemeve me sistemin e ngrohjes,”- thotë Shqipja.

Në vitin 2018, kur ajo u vendos në krye të shkollës, godina funksiononte me një sistem ngrohjeje me naftë që furnizohej njëherë në muaj. Autoritetet bashkiake qenë ato që organizonin furnizimin, si për shkollën në fjalë, dhe për shkolla të tjera. Shqipja shpjegon se ngrohja me naftë shkaktonte probleme të ndryshme, si p.sh.: kur temperaturat ishin të ulëta nafta mbaronte para se të arrinte furnizimi i radhës, si dhe dëmtime serioze ndaj mjedisit përreth shkollës. “Më kujtohet se si në vitin 2018, si mësuesit, ashtu dhe nxënësit i kishin palltot veshur gjatë mësimit, sepse nuk ishte ngrohtë sa duhej,”- thotë Shqipja.

“Nga pikëpamja ekonomike, Termokos-i ka nxjerrë përfitime të mëdha duke qenë se përveç reduktimit të humbjeve në rrjet, ka fituar edhe 3,000 klientë të rinj, përfshirë këtu edhe institucione publike si: dy kopshte, pesë shkolla, komisariate, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës.”

 

Naim Bytyqi, Drejtor Shitjesh, Termokos

Rritja e cilësisë së ngrohjes dhe mbrojtja më e mirë e mjedisit

Problemet me ngrohjen dhe ndotjen në Prishtinë nuk janë të pranishme vetëm në shkollën Naim Frashëri. Shumica e banorëve të Prishtinës përdorin për ngrohje qymyr ose energji elektrike nga termocentralet e Kosovës A dhe B që ndodhen aty afër, ndonëse disa prej tyre përdorin në fakt ngrohje më të efektshme nga sistemi i ngrohjes qendrore Termokos. Ngrohja krijohet nëpërmjet avullit që shpërndahet nga tubacionet e termocentralit. Sidoqoftë, një numër i konsiderueshëm godinash publike dhe private, përfshirë këtu edhe shkollën fillore Naim Frashëri, nuk ishin të lidhura me sistemin e ngrohjes qendrore, duke qenë se Termokos kishte probleme me sistemin e tij të vjetër dhe jo-të efektshëm të shpërndarjes.

Për të ndihmuar me trajtimin e këtij problemi, në vitin 2019, Zyra e BE-së në Kosovë nisi një projekt për rinovimin e sistemit të ngrohjes qendrore të Prishtinës. Qëllimi i projektit ishte lidhja e klientëve të rinj publikë dhe privatë me sistemin e ngrohjes qendrore dhe përmirësimi i furnizimit me ngrohje për klientët aktualë. Si rezultat i këtij projekti, për një periudhë dy-vjeçare, janë rinovuar 120 nënstacione të vjetra, janë instaluar 50 nënstacione të reja dhe janë zëvendësuar shtatë kilometra tubacionesh nëntokësore me tubacione të reja, të izoluara paraprakisht. Kjo ka sjellë rritjen e efektshmërisë dhe ulje domethënëse të humbjeve të ujit dhe nxehtësisë.

Si përfaqësues i Termokos-it, Naim Bytyqi, drejtor i departamentit të shitjeve dhe njëkohësisht menaxher i projektit, thotë se ky projekt ka qenë shumë i suksesshëm. “Nga pikëpamja ekonomike, Termokos-i ka nxjerrë përfitime të mëdha, duke qenë se përveç uljes së humbjeve në rrjet, ka fituar edhe më se 3,000 klientë të rinj, përfshirë këtu edhe institucione publike si: dy kopshte, pesë shkolla, komisariate, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës.”

“I jemi shumë mirënjohës Bashkimit Evropian, duke qenë se me anë të mbështetjes së tyre tanimë jemi pajisur me ngrohje të cilësisë së lartë dhe nxënësit e mësuesit mund të mësojnë në një ambient të ngrohtë e të këndshëm dhe të përqendrohen plotësisht te edukimi i tyre.”

Shqipe Vllasalija Mehmedi, drejtoreshë e shkollës fillore Naim Frashëri

Ambiente të ngrohta dhe të këndshme në shkollë

Sipas Bytyqit, shumë i rëndësishëm është dhe fakti që këta klientë të rinj nuk kanë më nevojë të përdorin karburante fosile për t’u ngrohur. “Para lidhjes me sistemin e ngrohjes qendrore, të gjitha institucionet publike përdornin naftë për ngrohje. Përveç faktit që duhet të përballonin shpenzime të mëdha financiare për shkak të çmimeve të larta të naftës, këto institucione ishin edhe burim ndotjeje, sidomos për faktin që shumica e tyre ndodhen në qendër të qytetit.

“Banorët që tani janë të lidhur me rrjetin Termokos, nuk përdorin më as energji elektrike për ngrohje. Kjo ndikon pozitivisht tek ekonomia shtëpiake, sepse ul kërkesën për konsumin e energjisë elektrike dhe përmirëson cilësinë e ajrit,”- përfundon Bytyqi.

Tanimë, pas realizimit të projektit, shkolla Naim Frashëri është ka ngrohje 24 orëshe në të gjithë hapësirën e saj, duke përfshirë klasat, korridoret dhe tualetet. Sikurse thotë drejtoresha: I jemi shumë mirënjohës Bashkimit Evropian, duke qenë se me anë të mbështetjes së tyre tanimë jemi pajisur me ngrohje të cilësisë së lartë dhe nxënësit e mësuesit mund të mësojnë në një ambient të ngrohtë e të këndshëm dhe të përqendrohen plotësisht tek edukimi i tyre.”

Lidhur me projektin

Projekti i Rehabilitimit të Sistemit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë përfundoi në prill të vitit 2021 dhe u financua nga Bashkimi Evropian me programin e Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit.

Photo credits: Arbër Gjoni

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.