Gjeni punën e ëndrrave në Cloud | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Gjeni punën e ëndrrave në Cloud

Modeli i ri i trajnimit digjital adreson mospërputhjen e aftësive dhe papunësinë tek të rinjtë.

SCROLL DOWN

Përqindja e papunësisë tek të rinjtë në Ballkanin Perëndimor është ndër më të lartat në Evropë, nga 28.3% në Shqipëri në 55.4% në Kosovë (Eurostat 2018). Megjithatë, nga ana tjetër shumë vende pune mbeten bosh. Një zgjidhje parashikon aftësimin e të rinjve përmes kurseve të trajnimit, që përqendrohen tek aftësitë specifike të kërkuara. Këtë qasje ndoqi organizata rinore serbe, “RES POLIS” (Qendra për të Rinjtë dhe Zhvillimin Social), e specializuar në hapjen e mundësive të arsimit joformal për të fuqizuar të rinjtë.

 

“Në Serbi po përballeshim me një paradoks.” – shpjegon Boris Negeli nga RES POLIS. “Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”Kjo ishte ajo që e frymëzoi nismën “Ideo Punën Tënde”, nga RES POLIS në vitin 2009. Objektivi ishte zhvillimi dhe testimi i programeve arsimore në TIK, në fushat ku mungojnë punonjës me aftësitë e duhura.

Që prej asaj kohe, “Ideo Punën Tënde” është rritur ditë pas dite. Kjo nismë mbështetet nga programi ERASMUS+ i Bashkimit Evropian, që promovon bashkëpunimin në arsimin, trajnimin dhe punën e të rinjve, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Projekti përfshin organizata partnere nga Franca, Italia, Shqipëria dhe Qiproja, të cilat sjellin ekspertizë të shumëllojshme. Duke qenë se shumë vende në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë përballen me sfida të ngjashme, ndarja e përvojave është jetike.

Janë zhvilluar kurse trajnimi në fusha të shumëllojshme, si: dizenjimi grafik, dizenjimi i faqeve të internetit, programimi, modelimi 3D, dhe animimi i lojërave. Në këto kurse pranohen personat e grupmoshës 18 – 30 vjeç, në veçanti të rinjtë nga grupe të pafavorizuara. Kandidatët e suksesshëm i kryejnë trajnimet në një prej vendeve partnere në mënyrë që të përftojnë përvojë ndërkombëtare.

“Nga njëra anë kishim përqindje të lartë papunësie, ndërsa nga ana tjetër, në sektorin e TI-së mungonin punonjës me aftësitë e duhura. Zgjidhja ishte e thjeshtë për ne: programet arsimore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, përgjegjës për trajnimin e personave të papunësuar, duhet të përfshinin trajnimin në TIK.”

Boris Negeli, RES POLIS

Thyerja e rrethit vicioz

Eriseldi, një 26-vjeçar nga Shqipëria, është një nga të rinjtë që kanë aplikuar për një kurs trajnimi. “Ndonëse jam diplomuar në Teknologji Informacioni, në vend që të ushtroja profesionin tim, më është dashur të punoj në fabrikë.” – shprehet ai. Eriseldi shpjegon se kurrikula universitare përfshinte shumë teori, por nuk i ofronte mjaftueshëm aftësi praktike.

“Synimet e mia profesionale ndryshuan pasi dëgjova për “Ideo Punën Tënde”. Ishte pikërisht ajo që kërkoja.”

Eriseld Kosta

Kjo gjë e futi Eriseldin në një rreth vicioz, ku i duhej përvojë për të filluar karrierën e tij, por nuk kishte asnjë mënyrë për të përftuar përvojë pa u punësuar fillimisht. “Megjithatë, synimet e mia profesionale ndryshuan pasi dëgjova për “Ideo Punën Tënde”. Ishte pikërisht ajo që kërkoja.” – shprehet Eriseldi.

Eriseldi ndoqi trajnimin 10-ditor, pjesë e nismës “Ideo Punën Tënde” në Serbi dhe në Itali, që e pajisi me aftësi dhe pikëpamje të reja të nivelit ndërkombëtar. Shumë shpejt, ai mori një ofertë pune nga InTech, një kompani TI-je me seli në Tiranë, ku realizoi trajnimin praktik gjatë projektit. Pasi përvetësoi përvojën e punës, Eriseldi vendosi të ushtronte profesionin e tij në mënyrë të pavarur duke ofruar shërbime TI-je për klientë vendas dhe ndërkombëtarë. Planet e tij për të ardhmen përfshijnë ngritjen e një biznesi, ku do të punësojë edhe persona të tjerë.

Motivim për të ardhmen

Me kërkesat në rritje, RES POLIS gjithnjë shikon drejt së ardhmes. Programet vlerësohen rregullisht për të garantuar se adresojnë sfidat e sektorit të TIK-ut në planin afatgjatë. Qëllimi përfundimtar është që programet arsimore të TIK-ut të bëhen pjesë e portofolit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit për trajnimin e personave të papunësuar.

Photo Credits: Ervin Kurti, Nikola Radman

 

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.