Arti i rrugës pa kufij: Mbështetja e BE-së ndihmon lidhjet mes artistëve nga Sarajeva dhe Prishtina | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Arti i rrugës pa kufij: Mbështetja e BE-së ndihmon lidhjet mes artistëve nga Sarajeva dhe Prishtina

09 Sep 2025

Q’art dhe Obojena Klapa kanë shumë gjëra të përbashkëta, por lidhja e tyre më e fortë është dashuria për artin e rrugës.

Q’art është një nga organizatat më të njohura të Kosovës në promovimin e artit rrugor dhe përmirësimin e peizazhit urban në mënyrë të qëndrueshme. Ata përdorin artin si mjet për të përmirësuar jetën dhe hapësirat publike, mjediset shkollore dhe fushat e lojërave – ose, siç e thonë ata, “për të përmirësuar çdo gjë që mund të përmirësohet nëpërmjet artit rrugor”.

Obojena Klapa (Kllapa e ngjyrosur), e themeluar në vitin 2016 në Sarajevë (Bosnjë dhe Hercegovinë), u krijua për të promovuar dhe avokuar për afirmimin e artit të rrugës brenda shoqërisë së BH-së. Misionin, sipas fjalëve të tyre, e kanë të “lyejnë të gjitha muret e vjetra, gri dhe të trishtueshme dhe të rinovojnë të gjitha fasadat e rrënuara në Sarajevë, duke i pasuruar ato me shprehjen e tyre artistike”.

Kohët e fundit, këto dy organizata – të lidhura nga pasioni i tyre i ndërsjellë për artin e rrugës – u bashkuan për të ndjekur një qëllim tjetër domethënës: forcimin e peizazheve kulturore të Ballkanit Perëndimor duke promovuar bashkëpunimin midis festivaleve rajonale dhe duke lehtësuar shkëmbimet kulturore.

“Për ne në Obojena Klapa, Balkan Art Fusion na u duk si një vazhdim i natyrshëm i asaj që kemi bërë prej vitesh – duke lidhur njerëzit nëpërmjet artit, duke punuar në hapësirën ​​publike dhe duke krijuar mundësi ​​për dialog dhe mësim. Ishte e rëndësishme për ne që artistët tanë të rinj të kishin mundësinë të dilnin nga mjedisi i tyre i përditshëm, të takonin bashkëmoshatarë nga qytete të tjera dhe të krijonin diçka të qëndrueshme së bashku. Dhe kjo vërtet ndodhi. Gjithçka rrodhi natyrshëm, pa shtypje, por me shumë përqëdrim dhe respekt të ndërsjellë. Projektet e tilla me të vërtetë na shtyjnë — sepse mund të shihni se ajo që bëni ka rëndësi, si për komunitetin ashtu edhe për secilin individ të përfshirë në të”, thonë përfaqësuesit e Obojena Klapa rreth ndikimit të projekteve si Balkan Art Fusion dhe se si ato përputhen me misionin më të gjerë të organizatës.

Bashkimi i Artit Ballkanik (Balkan Art Fusion): Lidhja e Kulturave përmes Shprehjes Urbane është nismë e përbashkët e udhëhequr nga këto dy organizata dhe e mbështetur nga Këshilli Britanik. Balkan Art Fusion është pjesë e projektit Kulturë dhe Kreativitet për Ballkanin Perëndimor (CC4WBs), financuar nga Bashkimi Evropian. CC4WBs synon të nxisë dialogun në Ballkanin Perëndimor duke përmirësuar sektorët kulturorë dhe krijues për ndikim më të madh socio-ekonomik. Balkan Art Fusion është strukturuar rreth katër aktiviteteve kryesore që së bashku promovojnë kreativitetin lokal dhe sipërmarrjen kulturore nëpërmjet punëtorive artistike, ekspozitave dhe rezidencave.

“Që nga fillimi, u ndjeva si pjesë e ekipit. Nuk kishte të bënte vetëm të kryhet puna. Atmosfera vërtet bën ndryshim. Punuam me përqendrim, por edhe ndamë të qeshura, shkëmbyem përvoja dhe mësuam nga njëri-tjetri. Kishte rrjedhë të vërtetë idesh, pa shtypje, vetëm me energji pozitive e cila na mbante të motivuar. Ajo që binte më shumë në sy ishin bisedat e sinqerta rreth artit, udhëtimeve tona personale dhe arsyes pse bëjmë atë që bëjmë. Ky lloj përvoje nuk mbetet vetëm në kujtesë – por e ndryshon mënyrën se si i qaseni punës suaj në të ardhmen”, thotë Rijad-i nga Sarajeva, një nga pjesëmarrësit në punëtoritë Creative Bridges.

Seria Creative Bridges është një nga aktivitetet kryesore të projektit, e zhvilluar për të lidhur artistë dhe organizata nga Prishtina, Sarajeva dhe jashtë vendit. Këto punëtori nxisin të nxënit nga bashkëmoshatarët, krijimin e artit të drejtpërdrejtë, ilustrimin digjital dhe dialogun kulturor.

Kur u pyet për përvojën e tij me artistë rruge nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, Tizer—artisti britaniko-amerikan i grafiteve, i cili është i njohur për përzierjen e tij të grafiteve dhe artit rrugor të bazuar në personazhe, ka qenë aktiv në skenën londineze që nga fundi i viteve ’80 dhe është një nga udhëheqësit e punëtorisë Creative Bridges në Prishtinë—thotë: “Ishte një kënaqësi e madhe për mua të shihja atë talent të ri me artistët e rinj nga Prishtina dhe Sarajeva, si dhe idetë dhe aftësitë e tyre për të prodhuar ato ide në një shkallë kaq të gjerë dhe në një kohë kaq të kufizuar. Ishte fantastike të punosh me artistë kaq të talentuar dhe të krahasosh mendimet për të përfunduar këtë detyrë.”

Rezidenca artistike “Transformimi Artistik” (Artistic Transformation) në Prishtinë ofron platformë për artistë me përvojë si dhe për artistë të rinj që të bashkëpunojnë në krijimin e veprave të reja artistike, zhvillimin e aftësive dhe përkthimin e kulturës urbane në industrinë krijuese.

Ndërkohë, Balkan Urban Canvas është ekspozitë e përbashkët e artit rrugor që zhvillohet si në Prishtinë ashtu edhe në Sarajevë. Kjo ekspozitë feston evolucionin e artit rrugor ballkanik dhe paraqet vepra arti të kuruara, produkte të turizmit urban dhe botime të lidhura me to.

Altin Ibrahimi, artist vizual nga Kosova i cili ka qenë pjesë e shumë aktiviteteve të Q’art, thotë se punëtoria e shtypit të cilën e ndoqi i ofroi mundësi të shoqërohej me artistë nga vende të ndryshme, të ndan përvojat e tyre dhe gjithashtu të bashkëpunon në krijimin e ilustrimeve që do të përdoren për shtyp.

Shumë pjesëmarrës ndiejnë se përfshirja e tyre në aktivitetet e Balkan Art Fusion i ka ndihmuar ato të kuptojnë se me çfarë duan të merren për pjesën tjetër të jetës së tyre. Ndër të tjera, projekti u dha pjesëmarrësve nga Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina mundësinë për të përjetuar qytetet e Prishtines dhe Sarajevës nëpërmjet gjuhës së tyre të përbashkët – artit të rrugës – dhe në këtë mënyrë, të kuptonin ngjashmëritë kulturore dhe shoqërore midis këtyre dy vendeve.

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.