Kosova siguron fonde për efikasitet energjetik të ndërtesave publike News | WeBalkans

Kosova siguron fonde për efikasitet energjetik të ndërtesave publike

24 Feb 2025
24/02/2025

Kosova siguron fonde për efikasitet energjetik të ndërtesave publike

Projekti për efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike në Kosovë është rritur këtë muaj përmes një kredie deri në 50 milionë euro të ofruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Projekti është pjesë e Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë (REEP), i mbështetur dhe financuar nga BE-ja në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Projekti do të përfshijë zbatimin e masave për efikasitet të energjisë dhe rinovim në deri 400 ndërtesa publike, përfshirë objektet e arsimit dhe të kujdesit shëndetësor. Kjo do të mundëson kursime mesatare të energjisë prej 30-50%, ndërkohë që do të reduktojë ndjeshëm emetimet e gazit serrë (GHG).

Masat përfshijnë instalimin e termoizolimit, përmirësimin ose zëvendësimin e sistemeve të ndryshme (ngrohje, ndriçim dhe elektrike), zëvendësimin e dyerve dhe dritareve dhe zbatimin e çdo mase tjetër të nevojshme strukturore dhe të komfortit.

Projekti ka vlerë totale prej 76 milionë euro: bashkëfinancuar me 12.6 milionë euro nga qeveria e Kosovës, 7 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian përmes Programit Rajonal të Efiçiencës së Energjisë për Ballkanin Perëndimor dhe 3 milionë euro nga Fondi Danez për Kosovën. Pjesa tjetër do të sigurohet nga fondet për bashkëpunim teknik.

Sergiy Maslichenko, Shefi i BERZH-it në Kosovë, tha: “Përmirësimi i efikasitetit energjetik të ndërtesave qëndron si prioritet jetik rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Bashkimin Evropian, duke reflektuar angazhimin tonë kolektiv për qëndrueshmëri. Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt reduktimit të emetimeve të gazrave serrë duke rritur cilësinë e jetës për qytetarët në Kosovë.”

Artane Rizvanolli, Ministrja e Ekonomisë, tha: “Jam e kënaqur që ky projekt jo vetëm që do të na ndihmojë në përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe cilësisë së 400 ndërtesave, por gjithashtu do të na ndihmojë të përditësojmë dhe përmirësojmë bazën tonë të të dhënave për gjendjen e të gjithë stokut të ndërtesave publike në Kosovë.”

Rinovimi i ndërtesave publike dhe private është jetik nëse Kosova dëshiron të përmirësojë efikasitetin dhe të përmbushë qëllimet e saj klimatike, pasi sektori i ndërtesave është konsumatori më i madh i energjisë në Evropë, që përbën më shumë se një të tretën e emetimeve të BE-së.

I nisur në vitin 2013, Programi Rajonal i Efiçiencës së Energjisë (REEP) për Ballkanin Perëndimor u zhvillua për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në dekarbonizimin e ekonomive të tyre duke promovuar investime në energjinë e rinovueshme dhe masat e efikasitetit të energjisë në sektorët e banimit, atë publik dhe privat.

I menaxhuar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), programi kombinon një paketë gjithëpërfshirëse financimi nga BERZH dhe KfW, stimuj të BE-së dhe fonde shtesë të donatorëve për asistencë teknike dhe dialog politik.

Deri më tani ka pasur më shumë se 1 miliard euro investime të cilat kanë mundësuar rinovimin e 90 ndërtesave publike, mbështetjen e 1,500 NVM-ve dhe investimin e më shumë se 20,000 familjeve në efiçencën e energjisë. Kjo ka rezultuar në kursime energjie prej 732 GWh në vit, duke shmangur 522 kt CO2.

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.