Fjala përshëndetëse e Presidentes von der Leyen në Samitin e Procesit të Berlinit
Fjala përshëndetëse e Presidentes von der Leyen në Samitin e Procesit të Berlinit
Faleminderit shumë kryeministër, i dashur Edi,
Z. Kancelar,
Të dashur miq,
Çfarë historie sapo pamë në ekran, eh çfarë historie. Dhe çfarë mesazhi të fuqishëm përcjell fakti që nuk është vetëm Procesi i dhjetë i Berlinit, por është hera e parë që zhvillohet në një vend të Ballkanit Perëndimor. Një mesazh i fuqishëm në një botë që ju, Edi, e përshkruat, në të cilën jemi dëshmitarë të një lufte të egër të ndërmarrë nga Rusia ndaj Ukrainës. Ukraina po lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe për vlerat tona. Po ashtu, kemi parë edhe një sulm terrorist të egër të Hamasit që vrau mbi 1,400 persona, përfshirë burra, gra, fëmijë, foshnja, vetëm sepse janë hebrenj. Po jetojmë në një planet që po digjet. Po sfidohemi nga GenAI. Në kohë të tilla, ju nevojiten miq të mirë. Dhe siç e thatë, ju jeni ndër miqtë më të mirë që mund të kishim kërkuar. Na lini të punojmë që t’i bashkoheni Bashkimit Evropian, i cili ka dëshmuar se është e mundur që të kemi, bashkërisht, paqe afatgjatë dhe prosperitet të qëndrueshëm.
Dhe në fakt, çfarë mesazhi i fuqishëm ai i djeshmi, kur nisëm regjistrimin në Kolegjin e Evropës në Tiranë. Dhe këta studentë të rinj tashmë do të studiojnë çështjet evropiane. Ata vijnë nga Shqipëria, i gjithë Ballkani Perëndimor, dhe nga Bashkimi Evropian. Çfarë mesazhi i fuqishëm për brezin e ardhshëm që do të çojë përpara idenë e Bashkimit Evropian.
Sikurse e thatë, Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014. Dhe ia vlen që të shfletojmë dokumentet e asaj kohe. “Qëllimi është të bëjmë progres real në procesin e reformës dhe në bashkëpunimin ekonomik rajonal.” Ja përse jemi këtu. Dhe falë Planit tonë Ekonomik dhe të Investimeve prej 30 miliardë eurosh kemi hedhur tashmë themele të forta. Ky plan po jep rezultat. Gjysma e planit, 16 miliardë euro, po zbatohet aktualisht. Por, duhet bërë akoma edhe më shumë. Dëshiroj të ndalem pak minuta te kjo pikë.
Ekonomitë tona, Ballkani Perëndimor dhe Tregu i Vetëm Evropian, janë ende shumë të ndara. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor zënë 35% të mesatares së BE-së. Pra, duhet që të shfrytëzojmë potencialin që ekziston këtu në Ballkanin Perëndimor dhe ta bëjmë pjesë të Tregut të Vetëm Evropian. Dhe ky është thelbi i Planit të Rritjes Ekonomike. Nga përvoja e zgjerimit, dimë se fuqia e zgjerimit të kursit qëndron te vlerat që na bashkojnë me vendet që iu bashkuan Bashkimit Evropian hap pas hapi. Por, fuqia e dytë është zhvillimi ekonomik. Sa herë që ka pasur zgjerim, jo vetëm vendet që iu bashkuan Bashkimit Evropian patën një shtysë të madhe në zhvillimin e tyre ekonomik, pasi u bënë pjesë e Tregut të Vetëm, por u përmirësua edhe Bashkimi Evropian sepse u zgjerua edhe Tregu i Vetëm.
Dhe tashmë ky është parimi i Planit të Rritjes Ekonomike. Në thelb, duam që në fusha të caktuara të hapim dyert e Tregut të Vetëm, Tregut të Vetëm Evropian, për shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. Dhe këtë duhet ta planifikojmë tani. Po e zgjerojmë atë në fusha si: lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, transporti rrugor, energjia, elektriciteti, Tregu i Vetëm Digjital i BE-së dhe, më e rëndësishmja, lehtësimi i kryerjes së pagesave jo me para fizike me një zonë të vetme evropiane pagesash.
Por, sigurisht, hapja e dyerve nuk mjafton. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë Tregun e tyre të Përbashkët Rajonal. Dhe kjo do të thotë se është kusht që vendet e Ballkanit Perëndimor t’u japin akses fqinjëve të tyre në tregun e tyre [t’u japin akses fqinjëve të tyre në tregun e tyre]. Me fjalë të tjera, nëse do e shtroja ndryshe, pra nëse ka pengesa, vetëm vetveten mund të bllokoni. Të tjerët do të ecin përpara.
Dhe për të ecur përpara nevojiten reforma, reforma të thella, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për ta bërë mjedisin më tërheqës. Këto reforma do të mbështeten me financim për investime nga Bashkimi Evropian, nëse do të ndërmerren. Ky Plan i Rritjes Ekonomike është një incentivë shumë e fuqishme. Është një incentivë për të hapur dyert në aspektin ekonomik, por edhe për të kërkuar hapjen e kufijve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të zbatuar reformat e nevojshme. Dhe kjo shoqërohet me financim të investimeve.
Vetëm duke punuar së bashku do ta sjellim Ballkanin Perëndimor pikërisht aty ku i takon, në zemër të Bashkimit Evropian. Në fakt, historia është në lëvizje. Mesazhi im është: Tashmë, ky është një moment vendimtar. Mos e humbni mundësinë, kapeni mundësinë, shfrytëzojeni momentin dhe ne do punojmë me ju për këtë.
Shumë faleminderit, Edi.
Burimi: European Union
Fotografitë: European Union