Vlerësimi i krijueseve femra | WeBalkans | EU Projects in the Western Balkans

Vlerësimi i krijueseve femra

Njihuni me Donikën, një artiste pamore nga Tirana, e cila po ruan kujtimin e një shtëpie të vjetër dhe pronarit të saj, që refuzoi t’i nënshtrohej valës së pandalshme të zhvillimit urban.

SCROLL DOWN

Myslym Shyri është një nga rrugët më të ngarkuara në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë. Për dekada me radhë, ajo ishte një lagje e qetë rezidenciale, pa dyqane dhe bar-kafe. Por, kjo ndryshoi me rënien e komunizmit në vitet 1990, kur thuajse të gjitha shtëpitë dhe apartamentet i shndërruan katet përdhese në sipërmarrje tregtare. Të gjitha përveç njërës.

Ky është një pallat si shumë të tjerë, por në këtë kat përdhes nuk ka asnjë dyqan apo bar kafe. Përpara tij kalonin njerëz të shumtë çdo ditë, një prej të cilëve ishte Donika Çina, një artiste pamore banuese në Tiranë. Ajo u frymëzua ta përfshinte apartamentin në shfaqjen e saj aristike.

“Për Bian ka pasur dhe ende ka shumë fjalë lidhur me jetën e saj, qëllimet dhe gjendjen e saj mendore. Vendimi i saj për të mos e shitur apo dhënë kurrë me qira shtëpinë për qëllime tregtare duket domethënës.”  

Donika Çina

Kujtimi vazhdon 

Donikës i bëri veçanërisht përshtypje një zonjë e moshuar, pronarja e shtëpisë, e cila e pastronte dhe lyente rregullisht pjesën e jashtme të banesës së saj në katin përdhes. Emri i kësaj zonje ishte Bia. “Për Bian ka pasur dhe ende ka shumë fjalë lidhur me jetën e saj, qëllimet dhe gjendjen e saj mendore. Vendimi i saj për të mos e shitur apo dhënë kurrë me qira shtëpinë për qëllime tregtare, sikurse kanë bërë shumë të tjerë në rrugën “Myslym Shyri”, duket domethënës”, thotë Donika.

Në vitin 2017, kur Donika nisi të punojë me shfaqjen e saj, ajo mësoi se Bia kishte ndërruar jetë. Shtëpia ishte ende aty, por ajo nuk ishte e sigurt se për sa kohë do të vazhdonte të qëndronte e tillë. “Duhet të bëja diçka”, thotë ajo, “për të mbajtur gjallë kujtimin, përpara se shtëpia të kthehej në një tjetër kafene”.

Si pjesë e shfaqjes së saj, Donika përsëriti zakonet e përditshme të pastrimit përpara shtëpisë, siç bënte Bia. Kjo shfaqje u filmua nga tri kamera sigurie dhe u transmetua në kohë reale në një monitor në hapësirën e ekspozitës Zeta në Tiranë.

Shfaqja e saj synonte reflektimin mbi pyetjet lidhur me ritualin e përditshëm të Bias të pastrimit përpara shtëpisë: a po luftonte Bia neglizhencën e perceptuar të qytetit në shenjë proteste? A e konsideronte ajo hapësirën përpara shtëpisë së saj si pjesë të hapësirës së saj private? “Nuk mund t’ia drejtojmë këto pyetje asaj. Por mund të vijojmë të vëmë në pikëpyetje përfshirjen tonë në hapësirën publike; domethënien e veprimeve tona të vetëdijshme; ndikimin te ne të mureve tona, betonit dhe pemëve që mbulohen”, thotë Donika.

“Shfaqja do të ruajë kujtimin kulturor të qytetit dhe gjestin e Bias si një protestë individuale delikate, por domethënëse.”

Donika Çina

Rezistenca

Pjesa e jashtme e shtëpisë së Bias është ende siç ka qenë, edhe tani, pesë vjet pas vdekjes së saj. Megjithatë, ka nevojë për pak punë shtesë për t’i rikthyer pamjen që kishte kur Bia ishte gjallë. Së fundmi, Donika ndërmori nismën të zgjeronte projektin e saj artistik duke punuar në pjesën e jashtme të banesës, dhe duke e filmuar pjesën e jashtme në 3D, përpara se banesa të shndërrohet në veprimtari biznesi, sikurse banesat në katet përdhese të kësaj lagjeje.

Për punën vijuese të projektit të saj, Donika aplikoi për mbështetje nga një program rezidence artistësh i financuar nga BE-ja në Tiranë. “Shfaqja do të ruajë kujtimin kulturor të qytetit dhe gjestin e Bias si një protestë individuale delikate, por domethënëse”, thotë Donika.

Thirrja për programin e rezidencës u hap nga Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, Tallinn Art Hall dhe Qendra ZKM I për Artin dhe Median, duke ftuar praktikuesit ose teoricienët evropianë të artit të aplikonin për një nga tri programet e rezidencës së produksionit që mbahen në Karlsruhe, Tallinn dhe Tiranë.

 

Rreth projektit

Këto programe rezidence u krijuan në kuadër të projektit afatgjatë Beyond Matter, që është një projekt kërkimor ndërkombëtar, bashkëpunues dhe i bazuar në praktikë, që sjell trashëgiminë kulturore dhe kulturën në pragun e realitetit virtual. Një prej qëllimeve të projektit është zhvillimi i zgjidhjeve të reja për dokumentimin e aksesueshëm digjital dhe paraqitjen e rrjetëzuar të ekspozitave që ekzistojnë aktualisht, apo që kanë ekzistuar më parë, në hapësirën fizike, duke përfshirë veprat e artit, artefaktet dhe materialet edukative. Projekti mbështetet nëpërmjet programit Creative Europe të Bashkimit Evropian.

Photo credits: Jean-Baptiste Engbland Béranger, Donika Çina

Please wait while your video is being uploaded...

Don't close this window!

Subscribe to the newsletter

I have read and understood the terms of the privacy statement.